Drejtoresha e ISHP, Albana Fico deklaroi se autoritetet shëndetësore e kishin paralajmëruar rritjen e rasteve me Covid-19 pas festave të fundvitit.
“E kishim paralajmëruar këtë. Në prag të fundvitit, kur folëm për respektimin e masave në atë periudhë, thamë që do të rriten numrat nëse nuk respektohen masat gjatë festave. Sa më shumë raste pozitive të kemi, aq më shumë të shtruar në spital dhe aq më shumë viktima do të kemi”, u shpreh Fico për A2.
Kur u pyet nëse do të respektohet plani 14-mujor i vaksinimit dhe nëse do të vaksinohen me AstraZeneca moshat mbi 55 vjeç, Fico deklaroi:
“Skenari për të cilin jemi përgatitur dhe dëshirojmë, është që për 14 muaj të realizojmë vaksinimin. COVAX ka një kalendar specifik që thotë saktësisht se sa vaksina do të marrë çdo vend. Por, duke u nisur edhe nga situata e vonesave të Pfizer, është e parakohshme për të thënë që për 14 muaj do ta kryejmë. Ne do të vijojmë me planin tonë të vaksinimit, por duke pasur parasysh edhe llojin e vaksinës dhe efikasitetin e saj për grupmosha të caktuara”./korrieri.al