11.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Nëntor, 2022

Gjithçka që duhet të dini për Diabetin

Mos i humbisni

Me te lexuarat

Intervistoi: Hafize F.Elshani, gazetare

Diabeti është një gjendje shëndetësore serioze, i cili po nuk u trajtua, mund të çojë në sëmundjet e zemrës, verbëri, mosfunksionim veshkash dhe komplikime të tjera që rrezikojnë jetën.Në mbarë botën po jepet alarmi se diabetikët po shtohen në masë. Edhe Kosova, pavarësisht shifrave të deritanishme, duket se nuk bën ndonjë dallim thelbësor nga pjesa tjetër e botës.

Vitet e fundit diabeti është bërë një nga sëmundjet më të frikshme, me tendencë të lartë për të prekur edhe moshat e reja.Mosushqyerja në mënyrën e duhur, ushqimet me hormone, jeta sedentare, si dhe një mori arsyesh të tjera, kanë bërë që numri i diabetikëve në Kosovë të arrijë nivele të larta, edhe pse nuk kemi ende raportime të sakta nga institucionet shtetërore përkatëse. Në një intervistë ekskluzive për gazetën me karakter tërësisht shëndetësor, “familja dhe shëndeti” flet për të rejat më të fundit rreth diabetit, Dr.Ardiana Perjuci-Begolli: Interniste- endokrinologe.

Specialistja e kësaj çështje Dr. Ardiana është përgjigjur në lidhje me sëmundjen e diabetit dhe ka treguar se cilet është shkaktari i kësaj sëmundje dhe cilat janë masat që duhet merrur po ashtu sit ë mbrohemi dhe ta gëzojm një shëndet të plotë:

Çfarë është Diabeti?

Diabeti apo sëmundja e sheqerit është një çrregullim metabolik që karakterizohet me rritje të nivelit të sheqerit në gjak si pasojë e mungesës së plotë apo të pjesshme të insulinës, rezistencës së veprimit të insulinës apo kombinimit të këtyre dy faktorëve, e që kjo çon në çrregullim të metabolizmit të karbohidrateve, proteinave, yndyrave dhe dëmtim gradual të gjitha indeve. 

Diabeti është i përhapur në tërë botën dhe prekë të gjitha moshat dhe përafërsisht i prekë njëjtë të dy gjinitë. Ka tendencë të rritjes në mosha të reja si pasojë e përdorimit të ushqimeve jo të shëndetshme dhe jetës jo-aktive e që këta faktorë po e qojnë rininë nga obeziteti. Në Kosovë ka rritje të sëmundjes së diabetit të tipit 2, ku janë të regjistruar diku rreth 12000 pacientë, të cilët marrin insulina dhe barna të tjera anti-diabetike. Dallojmë disa forma të diabetit e ne do ti veçojmë:

Diabeti tip 1: i cili shfaqet te të rinjtë nën moshën 30 vjeçare dhe kulminacionin e arrin në moshën e pubertetit. Shkaktohet si pasojë e një procesi autoimun i cili bënë shkatërrimin e beta qelizave të pankreasit që sekretojnë insulinë. Këtu kemi të bëjmë me mungesë absolute të insulinës dhe ky tip i diabetit mjekohet vetëm me insulinë. 

Diabeti tip 2: paraqitet tek personat mbi moshën 40 vjeçare. Pankreasi i këtyre pacientëve mund të prodhojë insulinë por jo në sasi të mjaftueshme ose insulina të cilën e prodhon pankreasi hasë në një rezistencë në inde. Edhe pse më i shpeshtë është në moshën mbi 40 vjeçare, fatkeqësisht kjo sëmundje ka filluar të paraqitet edhe në moshat më të reja si pasojë e rritjes se trendit të obezitetit. Obeziteti dhe trashëgimia janë shkaktarët kryesor të diabetit tip 2.

Diabeti i shtatzënisë: paraqitet zakonisht tek një përqindje vogël e grave shtatzëne, diku rreth javës së 24-28 të shtatzënisë, kur organizmi ka nevojë më tepër për insulinë. Prandaj ju propozohet grave shtatzëne të bëjnë OGTT (testin e ngarkesës orale me glukozë) në javën e 24 të ashtu që të parandalohen komplikimet e shtatzënisë. Më tepër paraqitet tek gratë me mbipeshë dhe te ato të cilat kanë familjarë me diabet. Pas lindjes në shumicën e pacienteve glikemia ju stabilizohet, mirëpo ju preferohet që kohë pas kohe të kontrollojnë glikeminë sepse në disa raste pas disa viteve Diabeti mund të ju rikthehet.

Cilat janë kriteret për diagnostikim të diabetit?

Kriteret për diagnostikim të diabetit janë simptomat e diabetit dhe vlerat e glikemisë (sheqerit) të rritura.

Glikemi esëll mbi 7, Glikemia 2 ore pas ushqimit mbi 11.1, HbA1c më e larte se 6.5 %

Cilat janë simptomat e diabetit?

Simptomat janë urinimi i shpeshtë, etja, uria e vazhdueshme, humbja e peshës, lodhje, djersitje, plagët vështirë shërohen, turbullim i të pamurit. Nëse keni këto simptoma, këshilloheni të matni glikeminë esëll dhe dy orë pas buke. Nëse vlerat e glikemisë janë si ato që u thanë pak më parë, lajmërohuni te endokrinologu. 

Cilët persona duhet të testohen për Diabet?

Për diabet duhet të testohen të gjithë personat mbi moshën 45 vjeçare, personat që kanë simptomat e lartpërmendura, personat që kanë anëtarë të familjes me diabet, personat me mbipeshë dhe ata që bëjnë jetë jo aktive, ata që kanë yndyra të larta e sidomos trigliceridet, personat që vuajnë nga Hipertensioni arterial, gratë shtatzëne në javën e 24 të shtatzënisë, dhe femrat që vuajnë nga vezoret policistike 

Pse është i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i diabetit?

Diagnostikimi i hershëm i diabetit ka rëndësi të veçantë sepse fillohet me trajtim të menjëhershëm dhe në këtë mënyrë parandalohen komplikimet akute dhe kronike të sëmundjes.Diabeti është një prej shkaktarëve të verbërimit, sëmundjeve të zemrës, sëmundjes së veshkave ku këta pacient përfundojnë në dializë si dhe shumë komplikimeve tjera.

Cilat janë ushqimet që ndihmojnë për të mbajtur glikeminë afër normales?

Trajtimi i diabetit bazohet në katër shtylla si: dieta, aktiviteti fizik, medikamentet perorale dhe insulina. Dieta ka rol shumë të rëndësishëm sidomos te pacientët me diabet tip 2 që kanë mbipeshë ose obezitet. Ushqimi te diabetikët duhet të jetë i shëndetshëm dhe të ju sigurojë vlerat energjetike dhe ushqyese këtyre pacientëve, nuk duhet të jetë i mangët e as i tepërt. Rënia e peshës përmirëson glikeminë, tensionin, yndyrat por nuk preferohet rënia e menjëhershme në peshë.Rekomandohen 5-6 shujta në ditë, 3 kryesore dhe 2-3 mes-shujta.Mund të konsumojnë çdo lloj ushqimi por duhet të kenë kujdes në sasi dhe kombinimet e ushqimeve.Shujta duhet të përmbajnë 50% karbohidrate, 30% lipide, 20% proteina.

Çfarë roli kanë karbohidratet?

Karbohidratet luajnë rol të rëndësishëm në organizëm sepse janë burim i energjisë në organizëm.Prandaj edhe duhet të përbëjnë pjesën kryesore të ushqimit.

Gjenden në brumëra, patate, oriz, drithëra, qumësht dhe produkte të qumështit, pemë, perime, ëmbëlsira, makarona, pije të gazuara, etj. Preferohet të konsumohen më tepër patatet, drithërat, perimet sepse përthithen më ngadalë prej zorrëve dhe nuk e rrisin shpejt glikeminë.Në mes-shujtë preferohen frutat se kanë një sasi të mjaftueshme të sheqerit dhe e parandalojnë rënien e sheqerit në gjak, apo hipoglikeminë.Janë të pasura me vitamina, fibra, anti-oksidante.Por duhet me pas kujdes në hurma, banane, fiq, rrush dhe shalqi sepse kanë më tepër sheqer.Preferohen të gjitha llojet e perimeve.

Çfarë roli kanë proteinat?

Proteinat luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe ruajtjen e indeve.Tek pacientët me diabet, proteinat nuk e rrisin glikeminë shpejtë.Proteinat kanë prejardhje bimore dhe shtazore.Nga ato bimore përdorni fasule, thjerrëza, bizele, arra, bajame, etj.Sa i përket proteinave shtazore përdorni mishin e bardhë të pulës, peshqit, mishin e kuq dy herë në javë, prodhimet e qumështit që përmbajnë 1.5% yndyrë, etj. 

Çfarë roli kanë yndyrat?

Yndyrat janë po ashtu një burim tjetër i energjisë, ndihmojnë tretjen e vitaminave A, E, D dhe marrin pjesë në ndërtimin e membranës qelizore.Me yndyra duhet me pas kujdes sepse ndikojnë në shtimin e peshës.Yndyrat po ashtu kanë prejardhje bimore dhe shtazore.Prej yndyrave preferohen ato bimore, sidomos vaji i ullirit.Konsumoni produktet e qumështit me pak yndyrë, preferohet mishi i peshkut, i pulës, mishi i viçit me pak yndyrë 1-2 herë në javë. Evitoni sa më shumë ushqimet e skuqura dhe parapëlqeni ato të freskëta, të ziera apo të pjekura.

Konsumoni sa ma shumë ushqime që përmbajnë fibra, sepse e pengojnë përthithjen e sheqerit në gjak, luajnë rol të rëndësishëm në sistemin e tretjes, e evitojnë kapsllëkun. Gjinden më së shumti në pemë dhe perime.Pini ujë deri në 6-8 gota në ditë./familjadheshendeti.com

 

- Reklame -spot_imgspot_img

Te rekomanduara

Ler nje koment:

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Reklame -spot_imgspot_imgspot_img

Artikujt e fundit