13.5 C
Tirana
E premte, 7 Tetor, 2022

MADHËSHTOR N’ATO BREGORE PRET BACA KURTI MBI SHTATORE Shkruar nga Prof. Gjon Frani Ivezaj

Mos i humbisni

Me te lexuarat

MADHËSHTOR N’ATO BREGORE PRET BACA KURTI MBI SHTATORE

Shkruar nga Prof. Gjon Frani Ivezaj

Po bëhet gati një shekull e gjysëm nga koha kur Baca Kurti mbylli me nder e vulosi me lavdi historinë e tij, për të cilin janë thurur shumë vargje, janë kënduar shumë këngë me lavdë e janë shkruar me dhjetra shkrime e libra për ta mbajtur të gjallë kujtimin e tij, ndër të cilat zënë vënd edhe shkrimet e mia.

Ky vigan shtatlartë me virtyte të thekuna malsori, si shqiponja që nuk i trembet as furtunës, as tufanit, këto ditë ka zënë vënd i mishëruar në bronz të murrmët, me imazhin e burrit n’petka t’malsorit në një bust monumental të vendosur në Grudë të Malësisë.

Në vëndlindjen e përjetshme të trimit legjendar Baca Kurti.
Ishte mirënjohja më e denjtë ndaj këtij “Burri të Madh” që malsorët vullnetmirë e dëshmuan me kontributin e tyre të përbashkët në nderim të tij, duke investuar për punimin dhe vendosjen e kësaj shtatore hijerëndë, si vetë fjala e peshume në besnikëri ndaj Malësisë nga Baca Kurti.
Dhe si shumë personaliteteve të shquara të historisë së popullit tonë edhe Baca Kurtit iu ngrit përmendorja e kujtesës, e cila me datë 23 gusht 2022 shënoi vendosjen dhe përjetsimin e tij me lavdi në Malësi.
Atje në Gruden legjendare, ku shekujt lanë veç numra e Kullat qëndrestare flijuan djemt më të mirë, u rikthye Baca Kurti në hekur e në gurë për të mos u larguar më kurrë. Vështrimi i tij i largët në horizont, me njërën dorë të kapur për palë të xhamadanit e me një qëndrim stoik, duket sikur thërret e lëshon za për ne të gjallët:

-O ju bijtë e kësaj toke!
Amanetin ku e keni?
Trojet që me gjak e mbrojtëm.
Pse po i l’shoni, pse po i lini?
Të vetëdishëm për vlerat e këti burri të veshur me imunitetin e mirënjohjes së përjetshme, i përulemi me respekt para shtatores e njëkohshisht me shumë krenari guxojmë t’i tregojmë botës se Baca Kurti e Bashkohësit e tij luftëtar, ishin e mbeten trima të rrallë.

Gruda e Malësisë ka lindur burra e ka nxjerrë personalitete të shquara sikuse Baca Kurt Gjeka (Gjokaj), i cili sërish çoi peshë e ndezi flakë zemrat e patriotizmit me prezencen e tij.
Baca i Kurt Gjekës, siç e thërrisnin asokohe grudjanët, lindi rreth vitit 1807 në fshatin Mileshë të Grudës në një familje me za, ku u rrit dhe u brumos me virtyte të larta patriotike.
Në pjekurinë e tij u shqua për urtësi, besnikëri e trimëri, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë. Baca Kurti përmendet për guxim të rrallë në mbrojtje të trojeve të Grudës, Malësisë e të trojeve etnike.

Ai nuk u pajtua kurrë me vendimet dashakeqëse të Fuqive të Mëdha për coptimin e trojeve tona. Si shumë patriot ngriti krye kundër vendimit të Kongresit të Berlinit për t’i dorëzuar Malit të Zi krahinat shqiptare të Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë, Kastratit e më gjërë. Në kryengritjen e Malësisë së Madhe rradhitet ndër krerët e kësaj Lëvizje.
Baca Kurti u caktua delegat i padisktushëm dhe vendimarrës në Lidhjen e Prizrenit. Baca Kurti ishte ndër të parët që rroku pushkën kundër zbatimit të vendimit për zaptimin e trojeve nga Knjaz Nikolla dhe ushtria malazeze, të dhuruara nga Kongresi i Berlinit.

Si shumë burra të denjtë të Malësisë edhe Baca Kurti nuk u shit me pare. Ai nuk e pranoi shitjen e tokave shqiptare në pazarin e diplomacisë fqinje me atë europiane. Bashkë me malësorët e dhe patriotët shqiptar, me luftën që bënë kundër Malit të Zi në mbarim të shekullit XIX, vulosën një faqe të artë të historisë së pambarim të Kombit tonë.
Kujtimi i tij janë veprat dhe fjalët që u drejtoi bashkëluftëtarëve vendas për mbrojtjen e Urës së Rzhanicës nga ushtria malazeze: “Vëllazën, anmiku po na mësyen! Kush don me dekë sot për vend të vet dhe për nder të armëve të veta, të vinë pas meje”! Ishin fjalët e tij ato që ndezën flakë shpirtin e zhuritun të bijve të Grudës e luftëtarëve malsor për tu mobilizuar në këtë luftë të fituar jo prej armëve, por prej zemrës së tyre, duke e detyruar ushtrinë malazeze të tërhiqej me humbje të papritur për nga raporti dhe në numër e në armatim.

Këta ishin burrat malsor që e coptonin gurin me dhamë për ta ba barot e me të kanë mbrojtë trojet e veta, duke u ba shembull në botë, si Baca Kurti me shokë.

- Reklame -spot_imgspot_img

Te rekomanduara

Ler nje koment:

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Reklame -spot_imgspot_imgspot_img

Artikujt e fundit