Krahina malore e Mirditës shtrihet në Shqipërinë e Veriut, dhe ka një sipërfaqe prej afërsisht 867, 1 km.²
Etnonimi i saj është puro shqip, dhe i lashtë sa vetë Dardania. Mirditorët janë rast i rrallë apo unik i historisë së trojeve tona.
Ata edhe pse ndër më të diskriminuarit dhe më të varfrit asnjëherë nuk u gjunjëzuan nga dhuna, mashtrimi e manipulimi bizantinë, otomanë e ruso–sllavë.
Mirditorët me stoicizëm të pashembullt mbrojtën rrënjët, trungun dhe frytet e trashëgimisë së tyre të mbi 80-të shekujve.
Ata të gjitha veprimet e tyre i kanë ndërmarrë në përputhje me Kanunin e Maleve, dhe për moto e kanë pasur aksiomën:“ Qëndroi besnik vetvetes dhe s’ke me i dalë i pabesë askujt.”
Si qendra kryesore të këtij regjioni malor konsiderohen qytetet:Rrëshen, Rubik dhe Kurbnesh.
Në kuadër të kësaj zone të thellë malore gravitojnë edhe rreth 61 fshatra të tipit të shkapërderdhur.
Relievin malor e kodrinor të Mirditës e karakterizojnë malet e larta të Fanit, Munelles, Zebës, Kushnenit, Oroshit dhe Velës.
Ndërsa si lumenj kryesor njihen Fani i Madh, dhe ai i Vogël, që gjatë rrjedhës së tyre me vete e marrin edhe ujin e përrenjve të Dibrit, Zmejës dhe Urakës.
Përveç këtyre dy lumenjve Mirdita është e pasur edhe me burime nëntokësore të ujit.
Madje, ujërat e Gurrës së Domgjonit, Bargjanës, Oroshit e veçmas Uji i Bardhë, njihen me vlerat e tyre kuruese.
Mirdita si krahinë etnografike me rregullimin e mëhershëm administrativ është shtrirë deri në Malësinë e Lezhës, Pukës dhe Matit.
Burrat e kësaj krahine Kuvendet Popullore të 12 bajraktarëve i kanë mbajtur tek Lisat e Shën Palit, që gjenden në kufi me Pukën.
Mirdita deri në shekullin -XVII- është njohur edhe me emrin krahina e Dukagjinit. Ajo si në periudhat e mëhershme ashtu edhe në kohën e komunizmit ka qenë nga më të margjinalizuarat dhe nga më të varfrat.
Banorët e kësaj ane u ballafaquan edhe me mungesën e bukës, kur më 1967 diktatura komuniste kolektivizoi të gjitha fshatrat e kësaj zone malore.
Me gjithë skamjen dhe shtypjen e madhe mirditorët janë rast i veçantë në luftërat kundër pushtuesve.
Ata u rezistuam me guxim të pashoq të gjitha regjimeve shtypëse qofshin ato dirigjuara nga të huajit apo agjentët e sojit të Esat Pashë Toptanit.
Edhe sot përmendet fshati Orosh, ku bëhej punimi i armëve, me anën e të cilave me sukses u përballua agresioni i pushtuesve serbo-malazez, mbi Mirditën. Këtë krahinë e dallon nga të tjerat edhe ruajtja e religjionit të paraardhësve të tyre të krishterë-katolikë.
Mirditorët edhe pse u torturuan dhe u vranë mizorisht nga armiqtë tanë asnjëherë nuk hoqën dorë nga religjioni i rrënjës së vet të krishterë-katolikë.
Prandaj, ky lokalitet me të drejtë nga shumëkush njihet edhe si Vatikani i Evropës Juglindore.
Burra e gra të kësaj krahine me sakrificë e fanatizëm ruajtën edhe veshjet e të parëve të tyre. Ende në disa vise të Mirditës burrat mbajnë tirq, xhamadanë e dollamë. Kurse gratë dhe vajzat në ditë festash e solemnitetesh vishen me xhubletë, zhgun, xhup e jelek me gajtanë.
Karakteristikë tjetër e mirditorëve është ruajtja dhe avancimi i folklorit burimor. Ata edhe pse në kushte ekstreme të varfërisë e mbajtën gjallë plot 50 vjet jetën kulturore, nëpërmjet ansamblit “Mirdita “të Rrëshenit.
Mirditorët shquhen sidomos me vallet në dyshe të shoqëruara me çifteli dhe fyell.
Një dukuri tjetër që i bije në sy gjithsecilit në Mirditë, janë kullat dhe shtëpitë me çardak, dhe jerevia me një hyrje.
Ndërkaq, si vend që sjellë dhembje dhe kujton të kaluarën nën diktaturë e tmerre dhune është Burgu i Spaçit.
Në këtë burg famëkeq pa asnjë faj dhe motiv në mesin e qindra vetave u mbajt edhe profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Ymer Adem Llugaliu, nga Surkishi i Podujevës.
Në kohën kur Ymeri u arrestua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, shërbente si mësues i Gjuhës shqipe, dhe letërsisë, në gjimnazin e Rrëshenit.
Kjo lëndë mësimore nga organet e atëhershme të periudhës së komunizmit ishte emërtuar kështu.
Llugaliu, atëbotë 23 vjeç i kishte përfunduar me notë maksimale studimet në fushën e Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Ai plot nëntë vjet me mjaft sukses do të punojë si pedagog në Shkollën Tetëvjeçare të Kurbneshit, dhe atë të Mesme të Rrëshenit.
Ymeri si një i rinj idealist me shpresën që një ditë Atdheu i ndarë do të bashkohet, ishte në gjendje që me orë të tëra të punonte më nxënësit e tij, dhe të mos shfaqte ankesë e lodhje, as edhe njëherë të vetme.
Shpirtin e tij prej mësuesi të vërtetë dhe humanisti e lëndonin pamasë vuajtjet e mirditorëve.
Skamjen e tyre të madhe ai e krahasonte me tregimet reale të Migjenit, si:“Legjenda e misrit”“Poema e mjerimit” “A do qymyr zotni? “ “Luli i vocërr” “Zeneli”etj.
Ymeri edhe sot si pikë të dobët e ka Migjenin, të cilin e konsideron si llambë ndriçimi të relievit të përthyer shqiptar.