20.5 C
Tirana
E enjte, 7 Korrik, 2022

Qyteti ‘fantazëm’ ku duket se s’ndodh asgjë, por që ka gjithshka

Mos i humbisni

Me te lexuarat

Nga Armando Meta

Herët në mëngjes nisemi nga Tirana. Pas një udhëtimi 2 orë e 30 minuta i afrohemi Malit të Trebeshinës dhe luginës së Vjosës, aty kuptohet se aventura jonë me reportazhet me Përmetin sapo ka filluar. Rruga gjarpëruese dhe ndërthurjet e peisazhit me relievin e zonës përreth saj janë shumë mbresëlenëse. Ndalesën e parë e bëjmë tek lokali në grykën e Këlcyrës i cili ndodhet buzë Vjosës. Përballe kemi pamjen e një pylli me pisha. Këtu kemi rastin që përveç ndjesisë së mirë të këtij udhetimi, të shijojmë dhe dicka nga zona. Porosisim dicka te lehte dhe 100% bio për mengjes, ndërsa ujin dhe freskinë i ke falas nga natyra bujare e kësaj zone.

Në përfundim të mengjesit kamarjeri na sherben Liko Arre, ose sic e quajne Permetaret Liko me Kacka, është nje traditë e hershme e tyre. Mësojme se aty afër është një vend i shenjtë për besimtaret Bektashinj. Pasi bejme nje ndalese te shkurter ne Ali Postivan, fshatin qe mban te njejtin emër me teqenë, mesojme se në Gusht te cdo viti, besimtare nga e gjithe Shqiperia mblidhen ketu dhe festojne. Shumë pranë rrugës për në Përmet është fshati i Kosinës një kishë qindra vjecare e ruajtur me shumë kujdes dhe fanatizëm nga banorët e zonës. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në një qytet me tradita dhe kulture mikëpritëse dhe feja bashkejetonte më së miri.

Fytyra e qytetit qindra vjeçar

 

Nisemi drejt qytetit në një rruge e cila zgjat vetëm pak minuta.  Sapo hyjmë në Përmet vërejmë një tabelë ku citohej “Përvec Detit, kemi cdo gjë tjetër”. Ishte një fjali e cila na u ngulit në mëndje. Qyteti 500 vjeçar që këmbët i lag në ujrat e Vjosës dhe kryet i mbështet në shpinën e malit të Dhëmbelit, shtrihet në një sipërfaqe të vogël që së bashku me rrethinat shkon deri në 929 kilometra katrorë. I gjelbëruar si asnjë qytet tjetër, me një “strukturë urbane”, “të patjetërsuar” qysh nga viti ’64, por e projektuar 200 vjet më parë nga inxhinieri kalabrez që njihet si Mulla Sulejmani, është unik për vlerat e tij.

“Nga Përmeti kanë dalë monumente jo vetëm në shkallë vendi, por edhe në shkallë ballkanike”, tregon historiani Kastriot Bejzate.

Vendet më të frekuentuara, brenda dhe jashtë Përmetit janë: Guri i Qytetit, Kisha e Leusës me ikonostasin e saj, ndër të rrallët në Ballkan dhe Kisha e Shën Kollit. Kjo e fundit gjendet në zonën e vjetër të Përmetit, aty ku banorët me shtëpitë e tyre janë të lidhura përjetësisht.

“Kisha e Leusës i takon fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit të XIX si dhe teqen bektashiane të Frashërit që ka qenë edhe shkolla e parë e vëllezërve Frashëri”, thotë Kastrioti.

Përmeti i vjetër është fytyra e qytetit qindra vjeçar. Me rrugica të gurta dhe hapësira të ngushta, karakteristike për këtë zonë janë ndërtesat dy katëshe. I përmendur në Kodin e Kishës së Korçës si vendbanim me 42 shtëpi në shekullin e 15-të, sot vendasit e ruajnë strukturën e tij me fanatizëm. Quhet Pore Jani, ka qenë nuse, ndërsa tani “e zonja e shtëpisë”. Në shtëpinë e Pano Janit ka falur dhe i kanë falur dashuri. Donika është pasardhëse e saj.

“Këtu jam lindur dhe jam rritur, e vleresoj si gjënë më me vlerë që kemi. Kam vendosur të rri në këtë shtëpi sepse do ruajë amanetin e prindërve të mi”, tregon Donika Jani.

Në këto “mëhalla” urtësie takojmë Aleks Vasilin, ish-bukëpjekës, por me pasion “gjuetinë”. Aktiviteti ka nisur për të prej ’48-ës, sot çiften që mban në dorë e përdor i biri, që përkohësisht ndodhet në Greqi.

“Në Përmet gjuhet lepuri i egër, derri, turtulli”, thotë Aleksi.

Njerëz tepër të qetë, të urtë e punëtorë, përmetarët janë unikë në llojin e tyre, disa falenderojnë natyrën, të tjerët paraardhësit. Guri i Qytetit, përveçse një monument historik, sipas legjendës i ka dhënë emrin Përmetit.

“Sundimtari i Përmetit në ato vite ka qenë Premti, i cili bashkë me vajzën Aleksandrën për të mos rënë në duart e otomanëve, u hodh nga Guri dhe që atëherë qyteti quhet Përmeti”, thotë Kastrioti.

Dhe të ndalemi tek ushqimi dhe delikatesat, s’ke sesi të flasësh për Përmetin dhe të mos përmendësh verërat e tij të famshme dhe likotë e ëmbëlsirat e lehta e të shijshme që gatiten vetëm në këtë zonë si askund tjetër. Pjerrgullat e shtëpive dhe vreshtat e rrethinave, këtë vit kanë dhënë prodhime të mbara. Thoma Kote në këtë ndërtesë prodhon “lëngun e bekuar”, dikur në kushte artizanale, ndërsa sot me teknologji të re.

 

Jemi në vendin ku klarineta, siç quhej në vendet e origjinës, në këtë trevë falë këtyre sazeve, mori një emër të dytë gërnetë. Një udhëtim i thjeshtë në Përmetin jugor, aty ku banorët jetën e krahasojnë me “dimrin e përjetshëm”, me ujrat termale dhe banesat popullore, me profetet e shqipes, vëllezërit Frashëri, me grykën e Këlcyrës  dhe peizazhe origjinale që për çdo kalimtar lë mbresa të rralla.

10 kilometra më tej shfaqen përpara vaskat me ujë termal e na duket se, në fakt, qyteti nuk po flinte. Thjesht po kalonte vapën e drekës në ujërat kurativë. Tre vaska, dhe një tjetër më e futur në thellësi të malit, me veti kuruese ndaj problemeve me reumatizmin, një e vogël ku njerëzit aty besonin se bënte mirë për problemet me stomakun, një më e cekët dhe më e ngrohtë ku po argëtoheshin fëmijët dhe një më e madhe dhe më e thellë, ishin kompleksi kryesor i asaj pike turistike që nuk do ishte aq e bukur pa urën e Katiut (Kadiut?), e ndërtuar në kohën e Ali Pashës. Kur u kërkon që ta përshkruajë përmetarin me tre fjalë, përmetarët preferon të citojë vargjet e Fan Nolit: “Nëse e do sofrën e shtruar si mbret, atë e gjen vetëm në Përmet”.

*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.

- Reklame -spot_imgspot_img

Te rekomanduara

Ler nje koment:

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Reklame -spot_imgspot_imgspot_img

Artikujt e fundit