Këngëtarja e njohur Nora Ndreu, një nga zërat e spikatur të muzikës turbo folk dhe asaj të alternuar, sapo ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor me titull “Shif e Ban”.

Kënga vjen me tekst të Fran Kodrës dhe muzikë e orkestrim të maestros Mario Marku, një bashkëpunim që i ka dhënë projektit një tingull të veçantë dhe ritëm të përshtatshëm për dasma, festa e gëzime familjare.
Vargjet e përzgjedhura nga teksteshkruesi Fran Kodra përshkojnë trevat e Malësisë së Madhe deri në Ulqin, duke sjellë përmes humorit dhe ritmit një mesazh të drejtpërdrejtë për vajzën malësore: të zgjedhë djalin e këtyre trevave pa shumë hezitim, për ta përmbyllur me shprehjen karakteristike “Shif e ban si don vetë”.

Zëri i ëmbël, bukuria dhe hijeshia e Nora Ndreut, të ndërthurura me një orkestrim të punuar me kujdes nga maestro Mario Marku, i japin këngës një atmosferë festive dhe energjike, duke e bërë një projekt që premton të dëgjohet gjatë në dasma dhe gëzime të ndryshme.
Një tjetër element që i shton vlerë projektit është edhe performanca e Grupit të Valleve “Tradita”, nën drejtimin e Pal Qarrajt, me koreografi të Anjeza Mitajt, të cilët sjellin një interpretim të bukur dhe dinamik në harmoni me ritmin e këngës.
“Shif e Ban” është një projekt që ndërthur muzikën, vallen dhe atmosferën e trevave tona shqiptare në një performancë festive.
Në linkun më poshtë ju ftojmë ta ndiqni këngën “Shif e Ban” dhe të shijoni këtë projekt të ri të Nora Ndreut.
Përgatiti./Pal Qarraj
PortaliShqiptar.Com