Me një ceremoni solemne dhe në praninë e shumë besimtarëve e banorëve të zonës, më 4 gusht u inaugurua kompanjeli i ri i Kishës së Shën Gjergjit në Goraj–Budishë, në Famullinë e Kastratit. Kjo vepër e bukur është fryt i iniciativës së famullitarit të Kastratit, Gazmend Tinaj, dhe i bujarisë së dy bijve të kësaj treve, të cilët, edhe pse larg vendlindjes, nuk e kanë shkëputur kurrë lidhjen me rrënjët e tyre.
Salvator Spathari dhe Aleks Mreshaj bashkuan idetë, zemrën dhe kontributin financiar për të realizuar me sukses këtë investim, duke i dhënë Kishës së Shën Gjergjit jo vetëm një kompanjel madhështor, por edhe një hijeshi të re gjithë krahinës. Kjo vepër përfaqëson besimin, traditën, kulturën dhe dashurinë për vendlindjen.
Pas Meshës së Shenjtë, të kremtuar nga famullitari Gazmend Tinaj, në orën 17:00 nisi festa popullore, e cila mblodhi banorë, mysafirë dhe mërgimtarë në një atmosferë të mbushur me gëzim. Programi u prezantua nga Sara Therqaj, ndërsa libreti u përgatit nga Pal Qarraj.
Atmosfera u ndez nga interpretimet e këngëtarëve Fredi Delaj, Nikoll Buçi dhe Donika Vuçinaj, të shoqëruar me muzikë nga Eduard Lekaj, ndërsa këngët dhe vallet popullore i dhanë festës ngjyrat më të bukura të traditës malsore.
Në përfundim, një sofër e shtruar me zemër e ktheu këtë ditë në një festë të vërtetë bashkimi, mirënjohjeje dhe krenarie për Goraj–Budishën dhe mbarë Kastratin./Për Portalin Shqiptar përgatiti./Pal Qarraj




