RUDINA BARDHI ZËRI I TRASHËGIMISË DHE KRENARISË MALËSORE

Rudina Bardhi ka kryer studimet në Universitetin e Shkodrës për Gjuhë-Letërsi në vitin 2008, ndërsa në vitin 2011 përfundoi studimet për Etnokulturë dhe Letërsi Shqipe.
Prej 13 vitesh ajo punon si mësuese, duke iu përkushtuar jo vetëm edukimit të brezave të rinj, por edhe angazhimit të nxënësve në aktivitete të ndryshme kulturore e artistike, me qëllim zbulimin dhe promovimin e talenteve të reja.
Falë punës dhe përkushtimit të saj, në shkollë janë sjellë mbi 20 çmime të ndryshme në fusha kulturore dhe artistike.
Rudina Bardhi është ndër ato arsimtare që është përpjekur vazhdimisht t’i japë lavdi krahinës së Malësisë, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë artistik, veçanërisht përmes promovimit të veshjes tradicionale me xhubletë.

Në vitin 2022 ajo botoi tekstin shkencor “Rrëfim për Xhubletën”, një punim me vlera të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore.
Ajo ka bërë gjithashtu disa vlerësime kritike letrare për autorë vendas, duke dhënë kontribut të vyer edhe në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare.
Një vit më vonë, në kuadër të “Vitit të Xhubletës”, në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit u organizua Simpoziumi Shkencor “Xhubleta – dëshmi e lashtësisë sonë”, ku morën pjesë disa nga emrat më të njohur të etnokulturës shqiptare. Në këtë simpozium, Rudina Bardhi prezantoi kumtesën me temë: “Mjeshtëria e punimit dhe mundësia e rindërtimit të veshjes me xhubletë”.

Në fund të këtij aktiviteti, propozimi i saj iu drejtua Komunës së Tuzit, por veçanërisht Bashkisë së Malësisë së Madhe, për ndërmarrjen e iniciativave konkrete në ruajtjen dhe rindërtimin e xhubletës tradicionale. Një nismë e tillë u ndërmor në bashkëpunim me shoqatën “Gruaja tek Gruaja”, ku u arrit të ndërtohej një xhubletë si imitim i origjinalit.
Për veten e saj, Rudina ka zgjedhur të flasë pak. Ajo shprehet me thjeshtësi se kishte mundësi të emigronte, por zgjodhi të jetojë pranë njerëzve dhe bashkëatdhetarëve të saj, së bashku me bashkëshortin, për të kontribuar për vendin dhe kulturën që e do aq shumë.
Një bijë e denjë e Malësisë, që me punën dhe përkushtimin e saj vazhdon të mbrojë dhe promovojë identitetin tonë kombëtar./Pal Qarraj
KASTRATI NEWS PortaliShqiptar.com

Author: news