NË GORAJ-BUDISHË BEKOHET KAMBANA E RE E KISHËS SË SHËN GJERGJIT MES LOTËVE TË GËZIMIT DHE BESIMIT “TINGUJT QË TË FTOJNË NË LUTJE DHE QË QETËSOJNË SHPIRTIN”

Një ditë e shënuar në kujtesën shpirtërore dhe historike të banorëve të Goraj-Budishës u përjetua më 8 qershor 2026, kur në Kishën e Shën Gjergjit u bë bekimi solemn i kambanës së re, një simbol i besimit, bashkimit dhe vazhdimësisë së traditës së krishterë ndër breza

Në një atmosferë të mbushur me emocion, lutje dhe përkushtim, meshën e bekimit e udhëhoqi Ipeshkvi i Shkodër-Pultit, Mons. Giovanni Peragine, në praninë e një numri të madh besimtarësh nga Goraj-Budisha, pjesë e Famullisë së Shën Markut në Kastrat, si dhe shumë besimtarëve të ardhur nga Bajza, Bratoshi, Shkreli dhe më gjerë.

Kjo kambanë, e kushtuar Shën Markut, Pajtorit të Famullisë dhe mbrojtësit të Kishës së Goraj-Budishës, nuk është thjesht një vepër e hedhur mbi bronz që do të kumbojë mbi fshat. Ajo është zëri i shpirtit të një bashkësie, një thirrje për lutje, bashkim dhe shpresë dhe identitet.

Realizimi i saj u bë falë zemërgjerësisë dhe dashurisë për vendlindjen të dy bamirësve nga SHBA, z. Salvator Spathari dhe Lek Mreshaj, të cilët financuan tërësisht kambanën dhe kampanjelin që tashmë po përfundon. Një dhuratë me vlerë të jashtëzakonshme shpirtërore, kushtuar vendlindjes dhe besimtarëve të Goraj-Budishës.

E realizuar në Itali nga mjeshtrit e njohur të “Fratelli Bellucci”, kambana mbart jo vetëm mjeshtërinë e punimit, por edhe emrat e dy bamirësve, të gdhendur mbi të si dëshmi mirënjohjeje dhe përkushtimi.

Në predikimin e tij, Mons. Peragine theksoi se tingulli i kambanës është një ftesë e vazhdueshme drejt lutjes dhe një kujtesë se bashkësia e Kishës jeton jo vetëm brenda mureve të saj, por edhe në jetën e përditshme të besimtarëve.

Ndërsa famullitari fr. Gazmend Tinaj, OFM, duke falënderuar pjesëmarrësit dhe veçanërisht dy bamirësit, u shpreh me emocion se emrat e tyre janë tashmë të gdhendur në kambanë, por mbi të gjitha, falë pagëzimit dhe veprës së tyre fisnike, janë të shkruar në qiell.

Momenti kulmor erdhi pas bekimit, kur kambana u vendos në kampanjel mes lutjeve, duartrokitjeve dhe lotëve të gëzimit të besimtarëve, një çast prekës që do të mbetet gjatë në zemrat e të gjithë atyre që e përjetuan.
Më pas për besimtarët dhe miqtë e pranishëm u servir një koktel me ushqime dhe pije të ndryshme, sbol i festave Malsore.

Nga sot, tingulli i kësaj kambane do të jehojë në Goraj jo vetëm si thirrje për meshë, por si zë i gjallë i besimit, mirënjohjes dhe dashurisë për rrënjët./Pergaditi Pal Qarraj Kastrati News Veriu News Univers Shqipetar @Portalishqiptar.Com

Author: news