Arbra Dembacaj, vajza nga Lezha me origjinë nga Nikçi i Kelmendit, me nënën nga Shkreli dhe me rrënjë të thella malsore, është një tjetër dëshmi e bukur se largësia nuk i shuan rrënjët, por mund t’i bëjë ato edhe më të forta.

E lindur dhe e rritur në Itali, Arbra mban një emër të lidhur ngushtë me tokën arbërore shqiptare. Që në moshën 6 vjeçare është marrë me balet klasik dhe bashkëkohor, duke ndërtuar ndër vite një përvojë të pasur artistike. Ajo ka marrë pjesë në provime dhe konkurse të ndryshme, duke u vlerësuar me rezultate të larta dhe duke siguruar certifikata të rëndësishme, përballë jurive ndërkombëtare me përfaqësues nga Londra, Australia, Amerika dhe vende të tjera.
Sot, krahas pasionit të saj për artin, Arbra studion për Shkenca të Telekomunikacionit dhe Sipërmarrje, ndërsa flet disa gjuhë të huaja, mes tyre shqip, italisht dhe anglisht.

Por mes gjithë këtyre rrugëve që ka ndjekur, ajo ka zgjedhur të mos harrojë rrugën e rrënjëve të saj.
Në Logun e Bjeshkëve 2026, në Qafën e Perdelecit, Arbra u shfaq e veshur me Xhubletën, veshjen tradicionale të Malësisë, duke sjellë në skenë jo vetëm hijeshinë e një vajze të re, por edhe historinë, identitetin dhe krenarinë e një treve.
Për paraqitjen e saj, Arbra Dembacaj u vlerësua me çmimin “Xhubleta më e bukur”, një vlerësim që mori një kuptim edhe më të veçantë për një vajzë të lindur e rritur larg Shqipërisë, por që i ka rrënjët thellë në tokën e të parëve.

Në një prononcim për Kastrati News dhe Portalishqiptar.com, Arbra e përshkroi Xhubletën me një shprehje të fuqishme:
«“Xhubleta është si të veshësh vetë tokën tonë të bukur, me aq histori, me aq mijëvjeçarë. Ne e kemi historinë tonë antike të qëndisur mbi Xhubletën tonë ilire.”»
Fjalët e Arbrës janë më shumë se një deklaratë. Janë zëri i një brezi të ri që, edhe pse lindur e rritur jashtë trojeve shqiptare, kërkon ta njohë, ta ruajë dhe ta përcjellë trashëgiminë e të parëve.

Nga Lezha e Beslidhjes te Nikçi i Kelmendit dhe Shkreli, deri te jeta në Itali, nga baleti klasik e bashkëkohor te studimet universitare, Arbra Dembacaj dëshmon se identiteti shqiptar mund të udhëtojë larg, por rrënjët mbeten gjithmonë aty ku kanë qenë.
Xhubleta nuk ishte thjesht një veshje për Arbrën. Ishte një kujtesë e veshur në trup, një histori e qëndisur në çdo motiv dhe një krenari e bartur me dinjitet.
Përgatiti./ Pal Qarraj Kastrati News